LUCAS është një qendër kërkimore ndërdisiplinore e KU Leuven, aktive në fushat e shëndetit dhe të kujdesit social (www.kuleuven.be/lucas). Misioni i saj është të përmirësojë cilësinë e jetës duke iniciuar dhe mbështetur inovacionet në praktikën dhe politikat e kujdesit, si dhe përmes kërkimit shkencor, trajnimit dhe konsulencës.
Në të tre fushat, njohuritë nga politika, praktika dhe kërkimi shkencor integrohen përmes dialogut me palë të ndryshme të interesit. Temat e kërkimit i përkasin fushave të kujdesit për personat vulnerabël, shëndetit mendor, komunikimit në marrëdhëniet e kujdesit, si edhe varfërisë dhe përjashtimit social.
Stafi i projektit

Prof. dr. Chantal Van Audenhove
Doktore e Shkencave në Psikologji
Chantal Van Audenhove është psikologe klinike dhe profesore emeritus me detyra formale në Qendrën Akademike për Praktikën e Përgjithshme të KU Leuven, në Departamentin e Shëndetit Publik dhe Kujdesit Parësor.
Kërkimi i saj lidhet me zhvillimin, zbatimin dhe vlerësimin e praktikave të bazuara në prova shkencore në klinikën dhe organizimin e kujdesit të shëndetit mendor. Parandalimi i depresionit dhe vetëvrasjes është një temë e rëndësishme e kërkimit të saj ndërkombëtar në bashkëpunim me EAAD që nga viti 2003. Në konsorciumet e ndryshme ajo ka qenë udhëheqëse e ekipeve për vlerësim dhe menaxhim të të dhënave. Tema të tjera të kërkimit të saj përfshijnë: cilësinë e kujdesit, kujdesin informal dhe atë familjar, vlerësimin e reformës drejt kujdesit komunitar të shëndetit mendor në Belgjikë, stigmatizimin dhe diskriminimin, vendimmarrjen e përbashkët dhe rehabilitimin profesional.
Grupet vulnerabël zënë një vend të veçantë në kërkimin e saj, përmes përshtatjes dhe mbështetjes së zbatimit të vizionit të rimëkëmbjes në kontekstin e problemeve të rënda të shëndetit mendor. Shumë prej studimeve të saj vendosin theks të fortë te përfshirja, pjesëmarrja dhe angazhimi i pacientëve dhe i familjarëve kujdestarë.

Prof. dr. Jeroen Luyten
Doktor i Shkencave në Ekonominë e Shëndetit
Jeroen Luyten është profesor i asociuar në Fakultetin e Mjekësisë dhe drejtor i Institutit të Leuven-it për Politikën e Kujdesit Shëndetësor, një nga njësitë kërkimore Departamentit të Shëndetit Publik dhe Kujdesit Parësor në KU Leuven.
Prof. Luyten jep mësim lëndë mbi ekonominë e shëndetit, vlerësimin ekonomik dhe etikën në shëndetin publik në programin MSc in Global Health të KU Leuven, në Master in Healthcare Management and Policy, në Master in Nursing and Midwifery dhe në Master of Bioethics.
Gjithashtu, ai është drejtor i programit Master në Menaxhimin dhe Politikën e Kujdesit Shëndetësor , anëtar i Bordit Ekzekutiv të Departamentit të Shëndetit Publik dhe Kujdesit Parësordhe anëtar i disa komiteteve drejtuese akademike.
Kërkimi i tij fokusohet në metodat e vlerësimit të teknologjive shëndetësore, shpërndarjen e burimeve dhe përcaktimin e prioriteteve në kujdesin shëndetësor. Studimet e tij të mëparshme kanë shqyrtuar balancat ekonomike dhe etike midis investimit në parandalim kundrejt trajtimit, racionimin e drejtë të burimeve kritike dhe rolin e brezave të ardhshëm në vlerësimin e teknologjive shëndetësore (HTA). Ai ka udhëhequr disa studime të zbatuara të kost‑efektivitetit në fusha shëndetësore, duke përfshirë, vaksinimin, riprodhimin e asistuar, kontrollin gjenetik, trajtimin e diabetit, shëndetin mendor dhe depistimin për shëndetin profesional .

Dr. Evelien Coppens
Doktore e Shkencave në Psikologji
Evelien Coppens është eksperte kërkimore në LUCAS, Qendra për Kërkim dhe Konsulencë në Kujdes e KU Leuven. Kërkimi i saj fokusohet kryesisht në kujdesin e shëndetit mendor, shëndetin mendor të të rinjve, parandalimin e vetëvrasjes dhe të çrregullimeve të shëndetit mendor, promovimin e shëndetit mendor dhe kërkimin mbi zbatimin.
Ajo ka qenë e përfshirë në disa projekte kërkimore evropiane për shëndetin mendor, të financuara nga Komisioni Evropian: OSPI‑Europe (optimizimi i programeve të parandalimit të vetëvrasjeve dhe zbatimi i tyre në Evropë), PREDI‑NU (parandalimi i depresionit dhe rritja e ndërgjegjësimit përmes rrjeteve në BE), ADOCARE (një veprim përgatitor që lidhet me krijimin e një rrjeti të BE‑së të ekspertëve për kujdesin e përshtatur për adoleshentët me probleme të shëndetit mendor), MENTUPP (promovimi dhe ndërhyrja në shëndetin mendor në mjediset e punës) dhe EAAD‑Best (adaptimi dhe zbatimi i modelit të praktikave më të mira të EAAD për përmirësimin e kujdesit ndaj depresionit dhe parandalimin e sjelljes vetëvrasëse në Evropë).

